Cili është revolucioni më I madh në Formula 1? Sistemi HALO!

“Unë jam shumë mirë, jam në rregull, HALO më shpëtoi jetën sot!” Këta ishin mesazhet në rrjetet sociale të hedhura nga piloti kinez, Çu Kuan Ju, pak kohë pas aksidentit të tij të tmerrshëm në nisje të Çmimit të Madh të Britanisë. Makina e tij Alfa Romeo fluturoi dhe u përmbys në rrugë pas kontaktit me Mercedesin e Xhorxh Rasëllit, e më pas u përplas me gardhin anësor të pistës. Ndërsa makina rrëshqiste kokëposhtë, ishte vetëm sistemi HALO që I shpëtoi jetën kinezit 23-vjeçar. Mjekët që e vizituan menjëherë vunë re se ai nuk kishte asnjë problem, përveçse një lloj tronditjeje normale për aksidente të tilla. Me të vërtetë, sistemi HALO mund të quhet revolucioni më I madh në Formula 1 (një pjesë në dukje e shëmtuar që mbron kokën e pilotit), edhe pse vlerësim të veçantë kanë gjithashtu forcimi I “bërthamës” së makinës, gjë që u bë pas aksidenteve vdekjeprurëse të Airton Senës dhe Roland Racenbergut në 1994.

Sfidanti.al