Quhet Migel Angel Perez Perez dhe ishte një nga dy gjyqtarët e finales së Kupës së Mbretit në basketboll në Spanjë, të akuzuar “rëndshëm” nga Reali. Madrilenët humbën me një pikë ndaj Barcelonës, dhe arbitrat u sulmuan për gabime të bëra në dëm të kryeqytetasve, por Perez Perez nuk rri pa u përgjigjur.
“Ne bëmë dy gabime të mëdha në atë ndeshje, kjo është e vërtetë, – u shpreh ai, – por, ishin gabime njerëzore. Nuk ndihem fajtor, ndjej përgjegjësi për atë që ndodhi, sepse që të ndihesh fajtor, duhet të gabosh me dashje”. Trajneri i Realit, Pablo Laso, deklaroi se “ato nuk ishin gabime njerëzore”, duke nënkuptuar se u bënë me dashje, duke nënkuptuar se ata favorizuan Barcelonën për shkak ndjenjash ose për shkaqe korruptive.
“Ne jetojmë në një vend si Spanja, – përgjigjet Perez Perez, – ku korrupsioni falet, ndonëse ndikon për keq në jetën e përditshme të njerëzve, ndërsa ndonjë gabim në një finale basketbolli zmadhohet kaq shumë sa nuk ka kuptim”.
Sfidanti.al