Çështja e dopingut, seanca dëgjimore e Sinnerit në prill

Janik Siner duhet të përballet me apelin e “WADA”-s për testimin pozitiv ndaj substancës së ndaluar, klostebol. Një proces që mund ta detyrojë numrin 1 të tenisit botëror të përballet me një skualifikim të gjatë deri në 2 vite, ashtu sikurse e konfirmoi pak ditë më parë edhe Karen Morhaus, CEO e Agjencisë Ndërkombëtare të Integritetit të Tenisit. Për çështjen e klostebolit, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka caktuar datat për seancën e procedurës së arbitrazhit midis Agjencisë Botërore Antidoping dhe tenistit italian. Procedurat do të mbahen me dyer të mbyllura më datat 16 dhe 17 prill në selinë e CAS në Lozanë të Zvicrës. Seancë që përkon me turnetë ATP 500 në Barcelonë dhe Mynih, teksa Siner tashmë është regjistruar për të marrë pjesë në eventin gjerman. Në seancën gjyqësore do të vendoset mbi apelin e prezantuar nga WADA ndaj ITIA-s (Agjencisë Ndërkombëtare të Integritetit në Tenis), e cila e kishte shpallur 23-vjeçarin italian të pafajshëm.

Ndërkohë dje Siner zbriti në fushë për ndeshjen e tij të dytë në Javën e Hapjes në “Australian Open”. Ai triumfoi me rezultatin 2-0 (6- 3, 7-6) ndaj grekut Stefanos Tsitsipas. Një ndeshje aspak e lehtë për numrin një të botës, sidomos në setin e dytë. Përpara se të kthehet në fushë, numri 1 i botës do të ketë disa ditë pushim pasi kalendari përfshin debutimin e tij në Grand Slam kundër kilianit Nikolas Xharri, të hënën më 13 janar.

 

sfidanti.al