Jemi në shtator dhe në kryeqytetin Doha temperatura gjatë orëve të drekës arrin në gati 40 gradë Celsius apo edhe më shumë. Si mund të zhvillohet një Botëror i atletikës në këto kushte të Katarit? Mos u shqetësoni sepse organizatorët kanë marrë disa masa, dhe besohet se gjithçka do të shkojë mirë, të paktën përsa i përket temperaturës. Në stadiumin “Halifa” në Doha është vendosur një sistem ajri të kondicionuar, pra sistemi i ftohjes i cili e ul temperaturën nga 40 gradë në 25, brenda rreth një minute.
Natyrisht, prish punë edhe lagështia që arrin në mbi 50 për qind, por gjithsesi impianti ftohës pritet të punojë mirë dhe të lejojë atletët të garojnë siç duhet, e të arrijnë rezultate të larta. Më shumë nevojë për freskinë kanë atletët e garave të gjata, ndërsa sprintierët në 100, 200 apo stafetat 4×100 metra ndihen më mirë në temperaturë më të lartë. Gjithsesi, jo në 40 gradë! Katari pritet të organizojë në 2022 Botërorin e futbollit, dhe ky Botëror i atletikës është si një provë gjenerale, apo si një reklamë për vendin organizator, se mund t’ia dalë.
Sfidanti.al