Bota mrekullohet nga Fjuri: Mrekullia më e madhe e boksit!

Kur një njeri humbet gati dy vjet nga jeta e tij, shkatërrohet nga droga dhe nga depresioni, arrin peshën 180 kg, dhe pastaj rikthehet në ring e dominon kampionin e botës, kjo është vërtet një mrekulli nga ato të jashtëzakonshme. Një histori e tillë, thuajse e tillë që nuk besohet, ishte kjo e Tajson Fjurit, që u ndesh me Diontej Uajlderin në Los Anxhelos, në finalen e peshave të rënda në boksin profesionit, dhe doli barazim.

Thuajse nga të katër anët e botës erdhën vlerësimet madhështore për të. “Fjuri u kthye mbrapsht nga droga, depresioni, dy vjet inaktivitet, dhe humbja e madhe e peshës, duke qenë më lart se kampioni i botës i peshave të rënda, të cilit iu dhurua një barazim, në një revansh mendoj se ai do të jetë edhe më mirë”. Këto ishin fjalët e ish-kampionit të botës, Lenoks Ljuis, i cili vazhdoi se “kjo tregoi sesa e vështirë është për një britanik të fitojë në Amerikë, një bravo e madhe për Fjurin që gjithnjë më habit”.

Ish-kampioni tjetër britanik, Frenk Bruno, e quajti rezultatin e barabartë si “vjedhje në dritë të diellit”. Manu Pakiao, komentoi: “Respekt për Fjurin që iu përmbajt planit dhe për Uajlderin që ngushtoi diferencën me dy nokdaune të fuqishëm, mezi pres të shoh revanshin”. Ish-kampioni amerikan, Xhorxh Foreman deklaroi se Uajlderi e meritoi fitoren, ndonëse “njeriu i spektaklit” (Fjuri) bëri një ndeshje të madhe. i vuri kapakun, promotori Frenk Uorren, që deklaroi se “sjellja e Fjurit ishte kuptimplotë, ai u ngrit nga nokdauni, e talli Uajlderin dhe pastaj e vuri me shpatulla pas murit, një punë e papërfunduar”.

Ndeshja në “Stejpëlls Sentër” u vlerësua barazim me një gjyqtar që e dha 115-111 për Uajlderin, një tjetër 114-112 për Fjurin, dhe i treti barazim 113-113.

Sfidanti.al