Nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e tij të lavdishme që Boston Sëlltiks të fitonte me 56 pikë diferencë. Atë që nuk e realizuan kampionët e së kaluarës si Bill Rasëll apo Lerri Bërd, e bëri skuadra e sotme, në dukje shumë më modeste, madje pa ndonjë kontribut të madh të Kajri Irvingut. Për më tepër, rekordi me 56 pikë diferencë u vendos në një Arenë të lavdishme, si ajo e Çikagos, ku Majkëll Xhordan fitoi 6 tituj kampion.
Suksesi i Sëlltiksave ishte 133-77, dhe ishte i pesti radhazi këtë sezon në NBA, duke i mbajtur në vendet e para të Konferencës Lindore. Irving shënoi vetëm 13 pikë, ndërsa ishte në fushë më pak se 23 minuta. Xhejlin Braun realizoi 23, Daniel Teis shtoi 22, Tatëm pati 18 pikë, dhe të dalluar ishin Morris, Rozier apo Oxheleje.
Bostoi realizoi 22 kosha me vlerë tripikëshe, dhe ky do të kishte qenë rekord i klubit, nëse nuk do të ishte thyer pak më herët këtë sezon. Sëlltiksat janë në vendin e pestë në Lindje (15 fitore, 10 humbje), jo larg vendeve të para që mbahen nga Toronto, Miluoki dhe Filadelfia.
Sfidanti.al