Edhe pritej, edhe mendohej se nuk do të ndodhte. SHBA nuk ishte aspak një skuadër yjesh në këtë Botëror, por gjithsesi lavdia e saj tepër e madhe dukej sikur e bënte të paprekshme. Gjithsesi, pas disa fitoreve bindëse në grupe, skuadra amerikane u rrëzua në pengesën e parë të madhe, në duelin çerekfinal ndaj Francës, me shifrat 79-89.
Skuadra europiane, një kundërshtar serioz, por jo me emrin e Spanjës apo Serbisë, u tregua në lartësinë e detyrës, tepër e fortë nga ana psikologjike, e udhëhequr nga një gjigand si Rudi Gober. Lojtari-qendër i Juta Xhazit, plot 2.16 metra shtatlartë e 111 kg, dominoi tabelat në sulm e në mbrojtje, duke shënuar 21 pikë, kapur 16 topa në tabela e duke marrë vlerësimin më të lartë me 36 pikë. Ai u ndihmua nga Furnie, autor i 22 pikëve, dhe nga ish-lojtari i CSKA-së (kampion i Europës), Nando De Kolo me 13 pikë.
Amerikanët patën vetëm një lojtar që mund të veçohej, Donovan Miçëllin me 29 pikë, por pjesa tjetër e skuadrës nuk ishte “kurrkund”. Kështu përfundon një nga paraqitjet më të dobëta amerikane në kampionatit botërorë, që nga pjesëmarrja e yjeve të NBA-së, në vitin 1992.
Sfidanti.al