Avokatja shqiptare kalon Otranton, 91 km me not deri në Vlorë!

Do të realizojë diçka që e ka pasur ëndërr. Quhet Eva Buzo, është 35 vjeç, dhe përveçse avokate e njohur, praktikon edhe notin e distancave të mëdha. Kjo shqiptare që njihet si drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve të Viktimave, është nisur për të sendërtuar projektin e saj, kalimin me not të Ngushticës së Otrantos. Ajo u nis sot pikërisht nga Italia, nga Otranto, për të mbërritur në Vlorë. Në një ceremoni emocionuese të organizuar përpara startit, Buzo tregon se përse vendosi ta bënte këtë notim.

“Vendosa që ta bëj këtë notim sepse familja ime është me origjinë shqiptare dhe doja ta nderoja origjinën time, – tha ajo, – Kur të mbërrij, aty do të jenë njerëzit e mi, si dhe të gjithë njerëzit që po gëzojnë detin në Vlorë, në Shqipëri”. Distanca nga Otranto në Vlorë është rreth 91 kilometra dhe notares amatore shqiptare do t’i duhen ndoshta 50 orë për ta përshkuar. Në të kaluarën, ajo ka realizuar një sfidë në Liqenin e Gjenevës, ku 58 kilometra distancë i kaloi për 25 orë e 19 minuta pa bërë asnjë pushim.

Sfidanti.al