As një Uestbruk “stratosferik” nuk mjafti ndaj Golden Stejtit

Kur një lojtar shënon 47 pikë në 37 minuta, ai ka bërë vërtet diçka të rrallë. Rasëll Uestbruk u shtoi këtyre edhe 11 topa në tabela dhe 8 asistë, madje edhe një vjedhje topi kundërshtarëve, por as e gjitha kjo nuk mjaftoi ndaj Golden Stejtit. Nënkampionët dhe favoritët e sezonit e nisën me kujdes, por pastaj shpërthyen në ndeshjen e luajtur në fushën e Oklahomës. Miqtë shkuan në pushim me 23 pikë epërsi, ndërsa gjithë sfida u mbyll 130-114.

Lojtarit më të mirë të sezonit, Uorriors iu përgjigj me me katërshen e madhe të yjeve të saj. Kevin Durant, në rikthimin që pati në ish-Arenën e tij, nuk u paraqit aspak keq, por shënoi 34 pikë në 32 minuta, duke kapur edhe 9 topa në tabela. Klej Tompson e Stefën Kërri realizuan nga 26 pikë secili, dhe ky i fundit thuajse arriti një “tripëll dabëll” me 8 topa në tabela e 9 asistë. Drejmond Grin vazhdoi me nivelin e tij të lartë, si në përballjen e një mbrëmjeje më parë në fushën e Memfisit, duke shënuar 6 pikë, kapur 8 topa në tabela, shërbyer 8 pasime për kosh, rrëmbyer 3 topa kundërshtarëve dhe duke bllokuar një gjuajtje të tyre. Përveç tyre, Xhevejl Mekgi shtoi 16 pikë nga ana e tij.

Uestbruk, në një farë mënyre, edhe e fitoi edhe e humbi përballjen ndaj ish-shokut të ekipit, Durantit. Aspekti më negativ i lojës së tij ishin 11 topat e humbur, ndërsa asnjë nga lojtarët e tjerë të Oklahomës nuk ishte shqetësim për Golden Stejtin, me përjashtim të Viktor Oladipos që shënoi 20 pikë. Kjo ishte fitorja e 46-të e Uorriorsit, që ka 8 humbje, dhe mbetet me diferencë skuadra më e mirë e NBA-së. Uestebruk, ndërkaq, mbetet lojtari më i mirë i kampionatit.

Sfidanti.al