Antetokumbo thotë “18”, Miluoki vazhdon marshimin në NBA!

Luajti sërish pak, vetëm 24 minuta, ndërsa energjitë po kursehen pa ndërprerje. Janis Antetokumbo dhe Miluoki i tij janë një projekt për plej ofin, por që gjithsesi vazhdonte të regjistrojnë fitoret njërën pas tjetrës. Lojtari më i mirë i NBA-së për sezonin e kaluar shënoi 29 pikë në 24 minutat që ishte në parket, ndërsa skuadra e tij përballoi pa vështirësi sfidën e Klivlendit. Ish-ekipi i Lebron Xhejmsit u mund me shifrat 125-108, ndërsa Antetokumbo shtoi edhe 4 topa në tabela, 4 asistë, 1 vjedhje topi dhe 1 bllokim gjuajtjeje.

Ai bëri mjaft gabime në gjuajtje, sidomos në ato personale, diçka që mbetet një minus për këtë basketbollist të shkëlqyer. Asnjëri nga lojtarët e Miluokit nuk u lodh shumë, Midëllton pati 23 minuta aktivizim, duke shënuar 24 pikë, DiVinçenco shtoi 15 pikë në 25 minuta, dhe Robin Lopez realizoi 16 pikë në 21 minuta. Miluoki arriti fitoren e 18-të radhazi, dhe është skuadra më e mirë e NBA-së deri tani me 24 fitore e 3 humbje, ndërsa në Perëndim Lejkërsat kanë bilancin 23-3.

Sfidanti.al