Antetokumbo, nuk niset kështu gara e favoritit për titull në NBA!

Jo se kapiteni nuk dha gjithçka e nuk luajti mirë, përkundrazi, por i vetëm nuk fitohen ndeshjet. Miluoki Baks pësoi një humbje të pabesueshme ndaj Orlandos në ndeshjen e parë të turit të parë të plej ofit në NBA, 110-122, ose ndaj një skuadre që të gjitha parashikimet e nxirrnin të mundur 0-4, pra “të fshirë”. Antetokumbo shënoi 31 pikë, kapi 17 topa në tabela e dha 7 asistë, por as forca e tij fizike, dhe as talenti nuk i prishën punë Orlandos, sepse yjet e tjerë të Miluokit nuk iu përgjigjën apelit. Erik Bledsou nuk ishte në formë, ndërsa Kris Midëllton ishte hija e vetvetes. Fituesit, ndërkaq, u udhëhoqën nga një europian si Nikola Vuçeviç, një prodhim i shkollës ish-jugosllave si Luka Donçiç. Ai shënoi 35 pikë e kapi 13 topa në tabela, ndërsa Orlando tejkaloi edhe mungesat për shkak të dëmtimit të disa lojtarëve, mbi të gjithë të yllit kryesor Aron Gordon.

Sfidanti.al