Carlos Alcaraz fitoi titullin e dytë në Wimbledon teksa mposhti në finale me rezultatin 3-0 (6-2, 6-2 dhe 6-4) një legjendë si Novak Djokovic. Spanjolli, vijon të thyejë rekorde të njëpasnjëshme dhe që tani është pjesë e më të mirëve në historinë e këtij sporti. 21-vjeçari, është tenisti i gjashtë në epokën e “Open Era” që arrin të sigurojë dopietën në Roland Garros dhe Wimbledon brenda një sezoni. Më parë këtë objektiv e kishin realizuar legjenda si Nadal, Federer, Borg, Djokovic apo Rod Laver. Megjithatë, askush nga emrat e sipërpërmendur nuk e kishte arritur këtë objektiv në një moshë si ajo e Alcaraz, me spanjollin që është vetëm 21-vjeç e 70 ditë.
Por, nuk mbaron me kaq! Alcaraz është katër nga katër në finalet Grand Slam pasi tenisti nga Murcia nuk e njeh shijen e humbjes në një finale të madhe duke triumfuar në US Open, Roland Garros dhe dy herë në Wimbledon. Rekordi në këtë rast mbahet nga Roger Federer, i cili fitoi radhazi shtatë nga shtatë finalet e para. Alcaraz mund të ketë shansin e një tjetër finale Grand Slam, pasi në shtator është në program për t’u zhvilluar US Open. Për t’u kthyer te triumfi në Wimbledon… Janë vetëm dy tenistë në histori që e kanë fituar dy herë Wimbledon në moshën 21-vjeçare dhe bëhet fjalë për emra legjendarë si Boris Becker dhe Bjorn Borg. Por nga ana tjetër, në moshën 21-vjeçare e 70 ditw, Alcaraz është shndërruar në lojtarin e parë me më shumë tituj Slam në histori. Ai është në kuotën e katër titujve, aq sa edhe Becker, Borg dhe Wilander, të cilët po ashtu numëronin katër tituj në moshën 21-vjeçare. Nga ana tjetër, me një triumf hipotetik në US Open, Alcaraz do të bëhej tenisti i parë në histori me pesë tituj Slam në moshën 21-vjçare. Sakaq, Alcaraz është shndërruar edhe në lojtarin e dytë spanjoll me më shumë tituj në kompeticionet madhore duke barazuar për momentin Manolo Santana, ndërsa para tij është vetëm legjenda Rafael Nadal me 22 tituj. E ardhmja premton shumë për Alcaraz që duket se ka mentalitetin, fizikun dhe mbi të gjitha talentin për t’i parakaluar të gjithë legjendat në librat e historisë dhe për t’u ngjitur vetë në fron.
sfidanti.al