Aksidenti i Norrisit tërbon Fetelin, bosët e F1 nuk i ndal as rreziku i jetës!

Ka disa kohë që cilësia e makinave dhe e kushteve teknike nëpër pista kanë bërë që pilotët e Formula 1 të shpëtojnë “paq” edhe nga aksidente të rënda, por gjithsesi, rreziku i madh ekziston dhe prite kur ndonjë ditë të vijë ndonjë lajm fatal. Kjo na u kujtua pas provave zyrtare që u detyruan të ndërpriten në Çmimin e Madh të Belgjikë, sepse piloti i Meklarenit, Lando Norris, doli nga pista dhe u përplas rëndshëm në barrierat anësore. Ai ishte me shpejtësi gati 300 km në orë, dhe makina i doli nga kontrolli për shkak të lagështisë. Meklareni u dëmtua keqazi, por Norrisi shpëtoi mirë. Piloti i Aston Martinit, Sebastian Fetel, ishte tepër i nxehur pas aksidentit. “U kërkova organizatorëve që të ndalonin provat që përpara aksidentit, – tha ai, – u kuptua se kishte rrezik, por ata nuk e bënë”.  Dy vjet më parë, pikërisht në këtë pistë humbi jetën piloti i ri i Formula 2, Antuan Hyber, pasi disa makina u përplasën me njëra-tjetrën.

Sfidanti.al