Notari britanik, Adam Piti, u shpall notari më i mirë i kampionatit evropian të notit që u zhvillua ditët e fundit në Glasgou të Skociës, pasi ai fitoi katër medalje të arta, në 50 m e 100 m bretkocë dhe në stafetat 4×100 m stil i përzier dhe 4 x100 m stil i përzier (meshkuj –femra), ndërkohë që ai vendosi edhe një rekord të ri botëror në garën 100 m bretkocë me kohën 57,10 sekonda.
Notarja suedeze, Sara Sjostrom, u shpall më e mira në konkurrimin për femra. Edhe ajo fitoi katër medalje ari, në 50 m e 100 m stil i lirë dhe 50 m e 100 m stil flutur. Ajo e ka fituar titullin e parë evropian para 10 vitesh, më 2008, kur ishte 14 vjeçe, në Aind’hoven të Holandës. Ajo u shpall kampione olimpike në 100 m flutur në Rio De Zhaneiro, më 2016 dhe është kampione e shtatëfishtë e botës.
Sidoqoftë, notarët më të suksesshëm në Evropianin e 34-t që u zhvillua në Glasgou, ishin ata rusë me 26 medalje të fituara (10 ari, 10 argjendi dhe 6 bronzi), të ndjekur nga notarët e Britanisë së Madhe me 24 medalje (9,7,8) dhe të Italisë me 22 (6,5,11).
Sfidanti.al