Abakarov i premton Shqipërisë: Me ndihmën e Zotit fiton të artën olimpike!

Nuk ka kaluar shumë kohë nga triumfi, dhe koha është për nderimin. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Federata Shqiptare e Mundjes respektuan kampionin e ri të botës, me një ceremoni të thjeshtë dhe një dekoratë në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet. Zelimhan Abakarov, mundës me kombësi çeçene dhe nënshtetësi ruse, i natyralizuar si shqiptar, fitoi medaljen e artë në Botërorin që përfundoi para pak ditës në Beograd. Abakarovi foli pas ceremonisë dhe komentoi përvojën në Botëror. “Edhe për mua, edhe për gjithë Shqipërinë, ky është një moment i madh, – tha ai, – Gjithashtu, për të gjithë ne besoj se ky është vetëm një fillim sepse ne duhet të vazhdojmë të luftojmë për të fituar medalje të tjera në aktivitetet e ardhshme. Të gjitha ndeshjet ishin të vështira në Botëror, por ndeshja në gjysmëfinale me serbin ishte shumë e fortë. Objektivi im kryesor kur erdha në Shqipëri ishte që të fitoja medaljen e artë, ai edhe mbetet”. Shpresa dhe synimi i madh mbetet medalja e artë olimpike. “Ne do të nisim menjëherë përgatitjet për Lojrat Olimpike, – theksoi Abakarovi. Edhe vitin tjetër është Kampionati Botëror dhe unë do të luftoj që të mbroj titullin tim. Duhet të kualifikohemi për në Olimpiadë dhe shpresojmë që me ndihmën e Zotit ta fitojmë medaljen e artë olimpike”. Sfidanti.al