E papritura mund të cilësohet vërtet e madhe. E tillë fitorja e Dallasit në fushën e Feniksit, ekipit më të mirë të sezonit të rregullt në NBA. Surpriza është e plotë kur sheh se ky sukses ishte me 33 pikë diferencë 123-90, me dominim të plotë, dhe për më tepër u arrit në Arenën e Feniksit. Si ndodhi që parashikimet u përmbysën kryekëput? Arsyeja kryesore e ka emrin Luka Donçiç, me superyllin nga Sllovenia që luajti një nga ndeshjet e tij më të mira. Basketbollisti 23-vjeçar shënoi 35 pikë, kapi 10 topa në tabela, shërbeu 4 asistë dhe vodhi 2 topa. Ai e humbi topin vetëm dy herë dhe mori notën tepër të lartë, 37.
Në krah të tij Spenser Dinuindi me 30 pikë, ndërsa Xhejlën Braun nuk mbeti shumë pas me 24 pikë dhe 6 topa në tabela. Gjithçka shkoi në favor të teksanëve që u shkëputën me 30 pikë diferencë që në pushim dhe madje epërsia e tyre shkoi deri në 46 pikë. Siç bëjnë jehonë mediat amerikane, nuk pati dramë në shkretëtirën e Arizonës. Yjet kryesorë të Feniksit, Buker e Pol ishin shumë dobët, ashtu si edhe të tjerët. Dallasi arriti finalen e Konferencës Perëndimore për herë të parë që nga viti 2011 kur fitoi titullin në NBA. Seria finale ndaj Golden Stejtit nis mëngjesin e së enjtes dhe rivalët janë favorit, por Donçiç me shokë shpresojnë t’i hedhin sërish poshtë parashikimet.
Sfidanti.al