Asnjë nga 143 skuadrat që kanë qenë në humbje 0-3 në plej ofin e NBA-së nuk ia ka dalë të kthehet mbrapsh, por gjithsesi ky ekip e ka një rekord të veçantë. Denver Nagetsët u bënë të vetmit në historinë e basketbollit amerikan që u kualifikuan në plej of edhe duke qenë në humbje 1-3. Ky kujtim i afërt i nxit lojtarët nga Kolorado që të besojnë se mund t’ia dalin ndaj Golden Stejtit Uorriorsave në turin e parë të këtij sezoni, edhe pse ndeshja e radhës luhet në San Francisko. Më në fund, pas tri disfatave radhazi, Nikola Jokiç e udhëhoqi ekipin drejt fitores duke shënuar 37 pikë e duke pasur 8 topa në tabela e 6 asistë. Kjo edhe pse ylli nga Serbia u tregua shpesh “hutaq” duke e humbur topin plot 7 herë. Gjithsesi, ishte shumë i saktë nga loja dhe ndihmoi ekipin të përballonte ish-kampionët, për të cilët Klej Tompsoni (32 pikë) e Stef Kërri (33) ishin në formë të madhe.
Sfidanti.al