Ishte mbrëmje përkujtimore në NBA. Basketbolli amerikan, ashtu si gjithë Shtetet e Bashkuara, nderuan Ditën e Martin Luter Kingut, një festë federale për ditëlindjen e ish-udhëheqësit të Lëvizjes për të drejtat e njeriut, që luftoi kundër racizmit.
Plot 14 ndeshje u luajtën në të gjithë territorin amerikan dhe shumë yje e nderuan siç duhet kujtimin e personalitetit të shquar, ku mes të tjerëve u dallua Janis Antetokumbo. Lideri I Miluokit dha një tjetër shfaqje të klasit të tij që po dominon NBA-në këtë sezon. Ai arriti një tripëll dabëll si dhe kaloi shifrën e 10 000 pikëve të shënuara në karrierë në fitoren e Miluokit ndaj Çikagos. Nuk ishte një rekord, pasi Lebron Xhejmsi ia doli kur ishte 23 vjeç dhe Kobi Brajant pak më shumë se 24, ndërsa Antetokumbo I mbushi 25 dhjetorin e kaluar.
Lojtari më I mirë I sezonit të fundit shënoi 28 pikë, kapi 14 topa në tabela dhe shërbeu 10 asistë në suksesin që u arrit me shifrat 111-98. Kris Midëllton e ndihmoi kapitenin e tij me 24 pikë, ndërsa Miluoki arriti fitoren e shtatë radhazi, duke qenë skuadra më e mirë e NBA-së me 39 fitore e vetëm 6 humbje. Antetokumbo shkëlqeu në një mbrëmje kur pati edhe kulme të tjera, si 61 pikët e shënuar nga Damien Lilard për Portlendin, apo si suksesi I thellë I Bostonit ndaj Lejkërsave të Lebronit, me shifrat 139-107.
Sfidanti.al