Teuta merr Rubin Hebajn, shkodrani shpreson të tregojë talentin në Durrës!

Është 21 vjeç dhe ndoshta do të arrijë aty ku synon. Rubin Hebaj vlerësohet si një nga sulmuesit e talentuar të futbollit shqiptar, dhe Teuta gjykon se ka bërë një goditje të madhe duke e afruar në skuadër. Shkodrani u zyrtarizua nga klubi durrsak, ndërsa firmosi një kontratë 6-mujore, besohet me formulë huazimi nga Vorskla e Poltavës në Ukrainë. Hebaj kaloi tek Vorskla në verën e vitit të kaluar, por dëmtimet e penguin që të aktivizohej rregullisht.

Ai shpreson që tek Teuta do të arrijë të kthehet në formë e të luajë rregullisht, për të rifilluar karrierën jashtë vendit. Hebaj është lojtar i formuar tek Akademia e Vllaznisë, ndërsa debutoi në skuadrën e parë shkodrane në moshën 17-vjeçare. Pasi shënoi disa gola me fanelën kuqeblu, ai zgjodhi të shkonte jashtë Shqipërisë, duke u bërë lojtar i Domzhales në Superligën e Sllovenisë.

Në një sezon, shkodrani arriti të shënonte disa gola e të shërbente asistë për Domzhalen, por verën e 2018-ës ai vendosi të bashkohej me Partizanin, sërisht në Shqipëri, në formë huazimi. Me të kuqtë, Hebaj nuk arriti të kishte minutazh të rëndësishëm, ndonëse shënoi disa gola vendimtarë, siç ndodhi në një derbi me Tiranën, fituar 2-1 falë rrjetave të tij, dhe në fund fitoi titullin kampion.

Sfidanti.al