- Përse presidenti Duka kur flet nga zyrat e UEFA-s duket si një drejtues qe kujdeset per nderin , që lufton kundër “peshkaqenëve” të Superligës të Europës , atyre që donin ta kullufitnin arin e futbollit europian… brenda natës ?
- Sepse në vendin e tij e qan rolin e peshkaqenit të pangopur , aq sa në trupin e drobitur të futbollit ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe sapo trukohet si zyrtar europian i futbollit.. “kafshon” edhe të mëdhenjtë e kontinentit si Perezin e Realit dhe Anjelin e Juventusit….
- Përse trajneri i Teutës, Edi Martini, pas humbjes “spektakolare” me Tiranën në Durrës , ku ekipi i tij luajti pjesën si e “ëma e Zeqos në majë të thanës”, doli me shprehjen populiste : “ Bravo i qoftë Tiranës!”…
- Sepse nuk thoshte dot të vërtetën e hidhur “Bravo i qoftë Teutës”… Si mundi ta luante kaq keq dhe aq e dorëzuar ndeshjen e “jetës”, për të cilën thuhej se ishte grali për tek titulli….
- Përse presidenti i Kukësit, Safet Gjici ka guxuar të prishë planet e çunave të regjisë së këtij kampionati, kur ka dalë hapur kundër rrymës : “ Ky Partizan është për titull”?
- Sepse Gjici, i zemëruar dhe i lodhur me skenarin e këtij sezoni, për të cilin media e oborrit thotë se është kampionati më kardiak, meqë çdo javë “dezhurni” në krye të klasifikimit ndërrohet …
- Përse FSHF dhe kasnecët e saj, brënda një nate, bënë “revolucionin” e votës për Shoqatat dhe Akademite, që do të votojnë në Aasamble , madje u caktuan dhe patronazhistët e dorës në allçi , për të garantuar përjetësinë e “mbretit” Duka në fron edhe per dekaden e tretë…
- Sepse “mbreti”ka nuhatje, ia kishte frikën fitores së PS-së në zgjedhjet politike dhe nuk i dihet se çfare sjell deti këtë radhë, se ç‘ kurdisin kryetarët e Bashkive, lojtarët me kostume që votojnë një herë për “demokracinë” kur janë në politikë dhe një herë për..”mbretërinë” kur i bien me top..topit!
Sfidanti.al