“Viktimat” e këtij futbolli janë thjesht “grabitqarët” më të vegjël!

Në xhungël, egërsirat i kanë rolet të ndara dhe nuk besohet se një leopard qahet shumë meqë është më i dobët sesa tigri dhe luani. Në botën e njerëzve, edhe në një botë që është një spektakël i madh si futbolli, ndodh ndryshe. Shumë interesante shprehet e përdorura nga presidenti i Totenhemit, Daniel Levi, dhe nga trajneri i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo. i pari lëshoi alarmin se shpenzimet që po bëjnë klubet e Premier Ligës janë të papërballueshme nga buxhetet aktuale, ndërsa i dyti akuzoi se klubet po shpenzojnë shifra të palogjikshme për të marrë lojtarë, gjë që e ka bërë të vështirë që ai të marrë futbollistët që i duhen në “Old Traford”.

Daniel Levi është një biznesmen nga tabani i këmbës deri në majë të flokut, një njeri që ka bërë biznes dhe konkurrencë mesa ka pasur mundësi dhe me siguri ka shkaktuar dëme tek rivalët më të vegjël apo edhe falimentime të tyre. Bashkë me të mirat që i solli kësaj bote, kapitalizmi i solli edhe këtë. Për fatin e tij të keq, Levi po përballet me biznesmenë më të fuqishëm sesa ai në botën e futbollit, me njerëz që kanë në pronësi klube si Reali, Barcelona, Milani, Paris SG, Barcelona, Bajerni, Çelsi apo Mançester Junajtid.

Një “grabitqar” i fortë has në rivalitetin e “egërsirave” më të forta sesa ai. i njëjti diskutim edhe për Murinjon, që nuk pati asnjë vrasje ndërgjegjeje apo pengesë morale për të blerë yje tek Çelsit, Interi, Reali dhe që theu rekordin botëror vjet me Pol Pogbanë. A i takon këtyre që të ankohen?

Sfidanti.al