Vite më parë, në tempull-zyrat e FSHF-së , ose tek zoti i saj, lindi ideja brilante për të bërë një ndeshje miqësore midis ekipit të FSHF-së ,dhe një ekipi që do të ishte krejt i pazakontë , i krijuar nga të burgosurit. Pse e kujtojmë pikërisht në këto momente këtë detaj, kaq mbresëlënës, por dhe të harruar? Sepse përditë flitet dhe stërflitet për shoqata që bëjnë “rrofeshata”, flitet për gjykata që bëjnë gola, dhe sapo flitet për gjykata, nuk ka sesi të mos dëgjohet “muzika e dhomës ”, ajo që të heq tepelekun …kujdes se do të hyni në burg!
Le të kthehemi tek ndeshja midis njerëzve të “lirë” të FSHF-së dhe atyre që e kishin humbur lirinë dhe donin ta fitonin vetëm për 90 minuta , aq sa vlen një ndeshje futbolli. Dhe ishte një ndeshje që do të mbahet mend për batutat, për golat që u bënë në fushë , por më shumë për “golin e madh” që u bë tamam para ndeshjes, kur kapiteni i të burgosurve u thotë çunave të FSHF-së:
“Ne mund të kemi bërë shumë gjëra derisa jemi këtu, por për ju kemi dëgjuar që i bëni “magji ndeshjeve të futbollit. Kemi vetëm një lutje : vetëm sot.. mos bëni me hile ! Dhe atë ditë, ishalla për herë të parë, ekipi i zyrtarëve u tregua i “ndershëm”.. nuk e mori për vete fitoren, por luajti me talent dhe me zotësi që kundërshtari ta fitonte ndeshjen dhe të besonte se kishte shijuar një shije të rrallë, të paprovuar nga te tjerë…
K.Shabani