Nuk do të jetë e largët dita kur edhe trajneri Edi Reja të na thotë : “ Tradhëtinë nuk e solla unë, por e gjeta midis jush”. Dhe hajde gjeje, cili është më i zoti në tradhëti, kur ditën që kurdisëm largimin e Panuçit, me ato që i panë sytë Rejës, a s’duhej të parashikonte edhe fatin e tij. Këto ditë, kur thuhet se shqiptarët e futbollit u bashkuan për shkak të kauzës së madhe për bamirësi, sapo flitet për fatin e një italiani, siç është trajneri i Kombëtares, Edi Reja, edhe “legjendat” nuk janë më bashkë. Ervin Murati, ai që me të majtën fliste më shumë dhe më bukur sesa kur shfaqej në ekrane apo në gazeta, ka thënë me gojën plot se Federata është nxituar që zgjati kontratën me trajnerin Edi Reja. Ata që e njohin nga afër Muratin, raportet me zotin e pa sinqertë të futbollit tonë, kanë bërë një pyetje të detyrueshme: ç‘faj ka FSHF-ja e shkretë në vendosjen dhe shvendosjen e trajnerëve, kur dihet nga të gjithë se cili është “pronari i këtij biznesi”. Një “legjendë” tjetër, mesfushori Ervin Skela, i cili dëshmoi se kur ka topin tek këmbët shpërfill moshën, nuk ia “pason” topin Muratit, sidomos kur flitet për konratën me trajnerin Reja. Gati sa nuk thotë në intervistë “ ç’të bëri Edi Reja, të keqen ne e dimë se ku e kemi…”
Sa u gëzuam atë ditë që erdhi trajneri Reja, “mbreti” i Serisë A me më shumë se 1000 ndeshje në kurriz. Disa puthën dorën e politikës, e cila gjeti kohë për të na dhuruar një trajner për së mbari. Sikur ta mësonin një ditë tifozët e Kombëtares se si lindin dhe vdesin dashuritë për trajnerin kuqezi, do të kuptonin.. përse në “shkollën” tonë kuqezi mbarojnë me të njëjtin fat, të shenjuar, si “nxënësi” Panuçi ashtu dhe “mësuesi” veteran Edi Reja. Edhe pse mburremi, deri në mediat italiane, për flirtin me trajnerët e tyre në stolin tonë, skema që po përgatitet është mëse shqiptare. Reja do të jetë i fundit, madje do të thuhet se paska qënë kapaku i artë një dashurie që pati një çmim që nuk thuhet dot publikisht, ku fituan të dy partnerët. Dhe ne, si ata që gjurmojnë çiftet e dashuruar, kemi 20 vite, që numërojmë ”puthjet”…
Gëzim Sinemati
Botuar ne Panorama Sport