Diku duhet të jetë një buton që ka shenjën e shqiponjës, që kur shtypet për mirë na dërgon në qiellin e shtatë, ndërsa kur shtypet për keq, ka si qëllim të na fusë në tokë ..shtatë pashë. Në kohën e delirit pa kufi, atëherë kur lodronim me historinë në finalet e Europianit, u fabrikua me sukses ideja se Kombëtarja kuqezi është familja model për nga harmonia, familja të cilën duhet ta kopjonin gjithë shqiptarët nëse donin të shtonin dozën e lumtursië. Në kohën e Panuçit, Kombëtarja jo vetëm që nuk është e lumtur, por kërkon të imponohet përsëri, këtë herë me misionin kontravers për të na kthyer në kohën kur jeta ishte si një lojë e mbushur me tradhëti.. Në një kohë kur zbulimi i komploteve dhe puçeve na bënin më të fortë se ..kurrë! Kështu pritet të ndodh edhe tek Kombëtarja, edhe pse u treguam mosbesues kur vetë presidenti Duka paralajmëroi se diku , ndofta edhe në zemër të oborrit të tij, disa “rebelë” po komplotonin kundër.. familjes kuqezi. Cilët ishin me emra, çfarë ligësie bënin pas shpine, pse donin ta largonin Panuçin, këto pyetje, çuditërisht, nuk morën përgjigje as nga goja e të madhit, mjaft që u vërtetua proverbi i tij se “më shumë frikë kam nga miqtë.. sesa nga armiqtë “.
Thonë se edhe në lojën e futbollit, tamam si në lojën tinzare të politikës, kur pakënaqësia më e madhe vërtitet rreth besimit dhe më pak te rezultatet, është momenti ideal për të shpikur komplote, ndofta edhe pa emra. Nga ato që tundin themelet e të voglit, trajnerit, se po të ishte fjala për të madhin , “toga e pushkatimit” , në këto momente, do të kishte mbaruar punë me komplotistët. Kjo është arsyeja që shumë vetë thonë se ky komplot me të shtëna në ajër do të zgjasë shumë, do të jetë si një lojë me shtesë, dhe trajnerin Panuçi do ta shohim përsëri në rolin e italianit që u bërtet para fytyrës shqiptarëve, sidomos atyre që ushtrojnë artin e tradhëtisë. Mos më merrni për budalla, thotë trajneri në mënyrë kristiane, duke na e falur ne rolin e budallait kur eksperimenti i tij në Kombëtare është i vetmi ‘komplot” që ka emër…
Gezim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport