Çfarë tersi për Tiranën! Ndërsa klubi dhe futbollistët po jetojnë ditët e bindjes së madhe ndaj atyre që komandojnë fatet e kurorëzimit, tifozët dalin kundër rrjedhës…shkulin stolat e stadiumit, duke dëshmuar se lumturia nuk matet me pikë dhe me “flirte”. Tirana është dënuar me 5 milionë lekë dhe me 4 ndeshje pa tifozë, për shkak të shkuljes masive të stolave ne ndeshjen me Kukësin. Aq sa thonë, sidomos pas kësaj gjëme se stadiumi “Air Albania” nuk është më në fronin e bukurisë në Ballkan. Madje, siç duken bathët, nuk mund të vihet më dora në zjarr për vërtetësinë e sloganit “tifozët janë lojtari i 12-të”. Tani, nuk mund të thuhet me zë të lartë apo me bujën e propagandës, por lojtari i 12-të është një rebel i pandreqshëm, një armatë e pakomandueshme, madje qënka e kotë edhe kur injekton sistematikisht virusin “Tirona-kampion”.
Thonë se Tirana e do kaq shumë titullin këtë sezon, është kaq e fiksuar, sa do të ishte gati të pranonte edhe kamzhikë të tjerë financiarë në kurrizin e saj të lodhur, vetëm e vetëm që fundi ta gjente me kupë në dorë! Por, në një rulet- kampionat, ku pabesia e lojtarëve të zyrave është shumë më e madhe se lojtarëve me “mëditje” që luajnë në fushë, bardheblutë i ka kapluar frika nga zemërimi i “djajve”. Kuptohet, nuk ka frikë nga ajo që ndodhi, nga stolat që u shkulën dhe vlera e tyre simbolike, frika më e madhe është se si do të vazhdohet për të arritur tek ..portat e parajsës. Dhe më e bukura është se këtë sezon gjërat po shkonin për bukuri, aq sa duket sikur tifozët më shumë po prishin punë sesa po ndreqnin. Parandjenja paska qënë fatale: tifozët po hedhin në erë planin e madh! Tani, me 4 ndeshje pa tifozë, ku në paketën e dënimit përfshihet edhe Derbi, do të bindemi se sistemi që ka frenat në dorë punon më mirë, sikur rrëshket në vaj, kur tifozët janë të dënuar…
Sfidanti.al