Edhe pse e kemi zakon t’i harrojmë shpejt skenat e dhunës, ngaqë na mbivendosen mbi njëra tjetrën, ajo e Permet, duket se mund të zërë vendin e një spoti tragjik të futbollit, ku futbollistët vrapojnë si të çmendur për të vrarë “shtrigën” ( arbitrin) që kishte bërë magjinë e zezë në fushë. Sa herë që dhuna kap majën e vitrinës, ku gjaku pushton ekranin dhe dikush shpëton mrekullisht pa lënë kokën në një lojë të egër me çmim tjet të lirë, kujtohemi se në Kategorinë e Parë dhe të Dytë ka jetë, që duhen shpëtuar. Ajo që ndodhi në Përmet, ku tifozët , si në kohën e gladiatorëve, ulën gishtin për të mos e falur arbitrin, kurse futbollistët ( gladiatorët modernë) qëllonin me një zell të frikshëm gjahun njerëzor, duket si një ngjarje monstër kur e shikon nga televizori, ndërsa në fushë dhuna është si ajri që thithim. E gjen kudo, të blerë me para, madje, ka edhe një sekret se , paraja që ecën më shumë në tregun e dhunës është ajo që fabrikohet për në labotarorin e FSHF-së. Atje ku dhuna nuk është mallkim, nuk është frikë, por një mall i shitur parakohe për të mbushur arkën, edhe pse me para gjaku…
Dhe gjaku në futbollin tonë është shumë i lirë, dhurohet falas kur flitet për të dhunuar tjetrin, duke mbajtur në këmbë një sistem të pisët loje, që trazon dukshëm topin, rushfetin, politikën, varfërinë ekonomike, paralizën mendore dhe lojën djallëzore të Intitucionit, që krenohen kur rreziku futet aq thellë në emër të topit sa qytetet prishin miqësitë e vjetra. Qytete që janë lodhur nga hallet, por që mashtrohen nga futbolli që vishet gjoja si festë në fillim dhe në fund, apo edhe pa arritur fundi, e heq maskën për të treguar se loja kur deformohet është më pranë vdekjes se sa jetës. Këtë e provoi edhe arbitri Paço, ai që fitoi “telebingon” e jetës këtë radhë në Këlcyrë, i cili tha disa fjalë që do të kujtohen edhe më shumë se skena e tërbimit masiv të futbollistëve. Edhe vetë arbitrat u bënë gati t’i vërsuleshin viktimes, kur në intervistën klasike, ku falen mëkatet në ekran, ai ka deklaruar: “ Nuk largohem nga futbolli. Ky është zanati im..” E dëgjuam mirë apo na bënë veshët? Një arbitër i vogël, në një kategori inferiore, që shpërblehet simbolikisht nga FSHF, zbulon se bilbilin e paska zanat dhe tingulli i tij qënka muzika e jetës…
Gezim Sinemati
Botuar ne Panorama Sport