U deshën 120 minuta jo vetëm për të mundur Mladën e Çekisë, por edhe mosbesimin e Shqipërisë. Ajo që po ndodh me Skënderbeun, ngjason me atë të burgosurin që kërkon ta shlyejë gabimin, duke iu ngjitur “malit” të Europës në këmbë. Ajo që përjetuam mbrëmë në Elbasan ka 100 arsye të kujtohet ndryshe nga kualifikimet e mëparshme, sepse ekipi që zakonisht pikasej për stilin, ka treguar se është i zoti të fitoj edhe një ndeshje karakteri, të cilën nuk e jeton shpesh. Ishte çudi e madhe, si dukej si i mbaruar në pjesën e parë dhe , papritur, ngjallet për të mposhtur kundërshtarin në fushë dhe ata që zakonisht nuk i duan si fitues. Tani, pas një ndeshje me më shumë stermundim se sa me talent, me fat më shumë sesa pafat, është e modës të veshësh petkun e “ujkut të dëborës” dhe të thërrasësh slloganin që na deh më shumë se pija “ O sa mirë me qenë ..korçar”. Kjo është fitore vetëm korçare dhe duket tepër hileqare ajo shprehja mediatike, fill pas delirit të triumfit, se “ Ajo që ndodhi nuk i përket vetëm Skënderbeut, por tërë Shqipërisë”.
Një thirirje që i shkon shik karakterit tonë të luhatshëm, sepse e tillë, me shumë të pavërteta është loja jonë. Kur u dënua Skënderbeu nuk dëgjohej të thuhej se u dënua tërë Shqipëria, ndërsa kur ekipi depërton drejt Europës,gati “i paftuar”, jemi të gjithë krenar, u kualifikua tërë Shqipëria dhe ata nuk mund ta “hajnë” vetëm tortën. Nuk është hera e parë, as e fundit, që dënimin do ta vuash i vetëm, ndërsa suksesin do ta ndajmë bashkë.
G.Sinemati