Puthje plot vitamina e dyshes Duka-Idrizi, ndalon sulmet kamikaze!

Nuk ka qënë futbolli i bukur në Korçë, kur Skënderbeu mundi Flamurtarin,  por ka ndodhur diçka e rallë.  Është mundur Flamurtari,  trajneri Duro zbuloi dy futbollistë fajtorë që po “flinin” pranë shtyllës, tamam në momentin e golit,  dhe , si rallë herë këtë kampionat, nuk ia ka “varur” arbitrit Andi Koçi. Si ka mundësi ky ndryshim epik i trajnerit, kur kujton se ata janë ndeshkuar nga “kamikazët” edhe në ndeshje pa peshë. Janë dënuar edhe kur pulat dolën nga koteci në një parrullë tifozësh, dhe të mbyllësh gojën kur mundesh nga rivali më  i paqefshëm! Le të kujtojmë një puthje të modës së lartë, e cila fitoi paradën e puthjeve në Asamblenë e “burrave të futbollit”, piktura e së cilës ka zënë vend në muzeun e ndjenjave.

S’e mbani mend ? S’ka mundësi..  ajo puthje ishte paralajmërimi i Shën Valentinit në futbollin tonë ku puthjet i shkojnë 1 prillit më shumë.. Sikur ta kishim paguar atë moment, më shumë se vetë votat, presidenti Duka dhe shefi rebel Sinan Idirizi, i harruan çorapet, pasaportat , pulat dhe kotecët, u përqafuan më shumë se sa ishte momenti, duke krijuar idenë se në Asamblenë e tradhëtisë, intrigës, pazareve, ka edhe.. dashuri, që ndërtohet si kat shtesë mbi katet urrejtjes..

Të na falë Flamurtari, se humbjen e tij kësaj here, e lidhëm me puthjen e shefave, aspak me arbitrin,  sepse nuk ndodh shpesh që “pështyma” nëpër faqet jo të zakonshme të ndihmojnë nderin e  lojës.  Që Skënderbeu ka fituar dhe ka bërë më shumë se rivali në këtë ndeshje me nerv, por pa raste, kjo as nuk vihet në kandar. Madje, të dyshimta ishin fjalët e trajnerit Duro kur ndryshoi kursin “filozofik” ( ishalla zgjat shumë aroma e puthjes) të pranimit të një humbje perveluese, duke zgjedhur fjalët : “ Nëse më dënon Shoqata e Arbitrave për pagëzimin kamikaz të arbitrave, atëhere..nuk do të fle për 3 ditë”. Le ta besojmë Duron nëse do të bëjë këtë sakrificë pas ndëshkimit, por sa ditë po bëhen që s’po flenë gjithë ata që gjurmuan çiftin, deri sa e kapën duke u puthur…

Sfidanti.al