Sa herë që Tirana luan me Skënderbeun, sepse na kujtohen ato filmat e hershëm në kinema, kur dikush nga padurimi thërriste me zë: “ Tani del i keqi dhe do ta vrasë të mirin…”. Ai i keqi, në rastin e filmit Skënderbeu- Tirana, është njeriu i veshur me të zeza, arbitri që prej vitesh ka pamjen e ndëshkuesit, të atij ndëshkuesi që mezi e priste viktimën të ngjitej në Superligë nga ferri ku ishte. Cili arbitër ishte fantazma e radhës për ekipin spartan, që e përballon me sukses dënimin dhe nuk rrëfehet dot nga frika? Siç guxon të thotë një futbollist i Tiranës , pasi ka miksuar një batutë të një filmi se “Tiranën kur kalendari e dergon para Skënderbeut, e rrahin dhe nuk e lënë të qaj ”. Një frazë që tingëllon binjake me deklaratën shpuese të Sulejman Starovës : Tirana as nuk flet dot, e kuptoni apo jo? Kishte kohë që nuk gabohej kështu nga arbitrat”
Sa herë që Tirana përfundon me dhimbje ndeshjen me Skënderbeun, po t’i shikosh trupin pas 90 minutave, i bëhet si fanella e vet klasike vija-vija nga tortura e bilbilit. Por, mbetet një viktimë e zellshme, e cila edhe pse e di se do të keqpërdoret nga njeriu më të zeza, nuk e tregon dhimbjen, as nuk ankohet që ta dëgjojnë të tjerët. Përse kaq e përulur dhe e frikësuar Tirana presidentit Halili? Ata që justifikojnë “kamzhikun” zyrtar ndaj klubit, të atij klubi që dikur e njihte veten si rebel ndaj diktaturës, thonë se në ditët e vështira, FSHF dhe pronari i saj, e mbajnë me “bukë” viktimën e tyre. Dhe ky marifet, gjoja bamirës ,ka bërë që të besohet edhe teoria se Tirana e marrë peng nga FSHF po përjeton sindromen e Stokholmit, kur viktima bie në dashuri me pengmarrësin, pa u bërë merak se ka humbur prej kohësh lirinë…
G. Sinemati