Dikur nëpër filma dëgjohej fjala magjike : “ Hapu Susam!”. Në javët e fundit të Superligës, thirrja magjike është “ hapuni porta”. Nuk janë portat e parajsës në futboll, por portat e ferit, ato që pranojnë edhe gola me erë të prishur . Në Shkodër luten që Skënderbeu të ketë “mirënjohje” për nderet në të kaluarën, dhe të mbajë dorën në zemër kur të luaj ndaj Vllaznisë. Në Vlorë nuk dinë të luten, por as nuk e vënë dorën në zjarr se çfarë do të kurdisin të përkedhelurit e tyre kur të luajnë kundër Kamzës, ekipit më kryengritës në kampionat, pasi kundërshtuan duke demaskuar planin e “zotave” për të qënë ata kurbani. Ishte tipike, tamam shqiptare, fakti kur shumica i ranë kambanës, plot siguri, duke thirrur me zë të lartë se Kamza do të kapte prej dore Lushnjen për të shkuar poshtë. Por edhe topi s’ka besë, nuk eshte i rumbullaket gjithnjë dhe frika ka mbërritur në Shkodër….
Madje edhe një emër i shquar për elegancë me topin, ne kohen e tij, Shkëlqim Muça, ka imituar “Kasandrën” greke, duke prishur humorin shkodran: “ Vllaznia do të jetë ekipi që do të rrëzohet nga Superliga”. Ku e di Muça se si do te hapet dhe mbyllet fizarmonika e golave në javët e mbetura? Pale kur thonë se edhe arbitrat janë betuar se nuk do ta lenë “trenin” të dalë nga shinat. Dhe kur? Pikërisht në momentin e fundit. Një fund që nuk ka fund nga skenarët, saqë do të trullosë kokat e sëmura edhe kur gara të ketë mbaruar. Po cilën skuader do të kemi percjellur, Vllazninë që humbi futbollin kur gjeti stadiumin, apo Kamzën, debutuesen kontraverse, që u zbukurua më shumë se sa “i takonte” në fushë, aq provokuese, sa tabelat e qitjes kishin pamjen e saj…
Sfidanti.al