Përmbyset  Shpresa! Rrofshin 70 minutat e fitores, poshtë 20 minutat e “djallit”

Futbolli i ndarë si tortë, me pjesë apo me llokma,  ku 70 minuta paskan qënë me shije  të ëmbël dhe 20 minuta me frikën e helmimit.  Duket si një trashëgimi që ekipi Kombëtar  po ia kalon ekipit Shpresa.  Jemi lodhur me patologjinë e humbjes, e cila vetshpjegohet me arsyetimin  hileqar  se gjoja  në pjesën më të madhe të ndeshjes  kemi qënë si “shqiponja” kuqezi , aq sa për të justifikuar edhe minutat e “lepurit”, ato të çoroditjes karakteristike të fundndeshjes, ku përmbyset për meritën tonë…tipike shqiptare.

Kaq shqiptare dhe flagrante , sa edhe kur dëgjon fjalët e trajnerit Bushi se për humbjen “elektrike”,  fajin e ka fusha e e keqe, futbollistët debutues, klubet e kampionatit që nuk i kanë aktivizuar me vazhdimësi futbollistët , bile edhe Sllovakia e pabesë që na mori mendtë me pasime të gjata , që të na fuste 2 gola të “shkurtër” .  Bushi u tregua zemërgjërë kur  humbjen nuk e ndau edhe me tifozët, të  cilët pas minutës së 70-të,  do të kenë  mbyllur njërin sy. Si për t’u thënë sllovakëve, ..70 minuta ishim ne fitues, 20 minuta , sipas zakonit  të mikpritjes,  është radha e mikut  !

Dikur kemi përqeshur  humbjet dinjitoze të Kombëtares,  ngaqë jo vetëm pësonim gola në portë, por “goli” mbërrinte  deri tek portofoli  sepse  humbja na dukej e fisme, e besueshme, gati si një fitore sepse golat ishin pa orar, të pakohë, pra  nuk kishin ..kohën e tyre. Kurse  këto humbjet me përmbysje  morale, më shumë se teknike, ku firojnë si me magji minutat e mira dhe triumfojnë të këqijat,   pa dallim moshe,  shqiponjat e Panuçit apo  qofshin shqiponjat e vogla të Bushit, pa dallim seksi,  lojë me hile burrash apo lojë”burrërore”  femrash,  i  tregojnë botës se  ky është futbolli që la grupin tonë gjakut, me të cilin ndihemi më të realizuar…

Sfidanti.al