Pas Kukësit e Kastriotit, ja edhe Laçi u bë një skuadër “emigrante” në kampionatin shqiptar, pas punimeve për fushën në stadium. Nuk mjafton kjo, por ka mjaft ekipe që nuk stërviten aspak në qytetin e tyre, Kukësi gjatë gjithë vitit, apo Laçi me kohë të pjesëshme. Ishte më keq, kur Superliga kishte në përbërje edhe Korabin e Peshkopisë apo ndonjë ekip tjetër.
Gjithsesi, do të ishte gabim i madh nëse do të quhej largimi nga stadiumet si shkak që skuadrat janë shkëputur nga tifozët. Nëse do të pyesësh kompaninë që menaxhon shitjen e biletave për kampionatin, do të kuptosh se braktisja e tifozëve ka ndodhur më përpara.
Kur stadiumet janë bosh, ose thuajse bosh, diçka është thyer në lidhjen mes publikut dhe ekipit të zemrës, dhe fajin asnjëherë nuk e kanë qytetarët. Le të thonë presidentët se “lekët më përpara i pijnë raki, sesa blejnë biletë për në stadium”. Pyetja e thjeshtë është se përse pëlqejnë më shumë rakinë BMV sesa një ndeshje Superlige?
Kjo i shpjegon të gjitha, dhe duket se braktisja e tifozëve nga ana e klubeve është bërë në “tavolinë”, pra për shkak të rezultateve që sikur nuk vendosen edhe aq në fushë.
Sfidanti.al