Nga na mbiu kjo memecëria kuqezi? Edhe shefat lart nuk flasin…

Loja e Panuçit as që ka lidhje me ekipin e tij, Shqipërinë, dhe me ekipin tonë Kombëtaren, sidomos kur përballë ka ekipin e gazetarëve. Në “ndeshjet” e fundit, italiani ka ndryshuar skemën,pothuajse një ndryshim radikal, kur futbollistët në fushë e kalojnë pjesën më të madhe të 90 minutave në mbrotje, kurse vetë Kristiani është arratisur në sulm. Dhe çfarë sulm? I paparë për një trajner pa përvojë, një trajner që besoi se gjeti parajsën kur shkeli në tokën e “shqiponjave” pa e ditur që..nuk fluturokan më! Edhe në konferencën e fundit, Panuçi ngriti tonin, fitoi skenën me arrogancë, duke shkarkuar zemëraten te futbollistët e tij, aq sa arriti të thotë të pathënën : “ Futbollistët e Kombëtares janë memecë, nuk flasin me njëri-tjetrin..”
Kishim dëgjuar shumë patologji për çunat kuqezi, por kjo e fundit, e zbuluar nga “doktori Italian”, ngjalli shumë habi , madje edhe dyshime. Habi për faktin se përse futbollistët dalin fushë me “gjuhë të prerë”, nuk i flasin më njëri- tjetrit, dhe dyshime se mos kjo “sëmundje” që ka zbuluar trajneri është një alibi e radhës, një shashkë për te mbuluar me tym krizën e rezultateve. Por le të besojmë më shumë sesa të dyshojmë, të pakten këtë radhë.
Nga na mbiu kjo “memecëri” në këto momente, kur kemi nevojë edhe të bërtasim në fushë me ato që po na ndodhin? Thonë se futbollistët janë si pasqyrë, reflektojnë hallet e brendshme, ato që nuk kuptohen nga syri i jashtëm. Përderisa, shefi i madh është prishur me bashkëpunëtorët më të ngushtë, brenda dhe jashtë mureve të zyrave, kur edhe vetë Panuçi shpërfill intervistat për ata që vetmburren si “ekrani kuqezi”, kur futbollistët e Kombëtares nuk arrijnë të flasin një gjuhë, veç bubërojnë me zë të ulët dhe në grupe, si do të jetë e vështirë të zbulosh se ekipi e ka gjuhën e prerë edhe …kur luan!

Sfidanti.al