Arbitra nga Malta për të zgjidhur hallet e Superligës në javët e fundit të kampionatit! Dikush mund të tallet, madje dhe të habitet se si një kampionat që e quan veten Superligë kërkon ndihmë nga një vend me nivel liliput , tamam në javët e fundit të kampionatit, duke shpërfillur në mënyrë groteske arbitrat vendas. Qënka një ndeshje shumë “shqiptare”, e mbushur me frikë dhe dyshime, ajo midis Flamurtarit dhe Partizanit, ku sikleti më i madh nuk trazon drejtuesit e klubeve, as futbollistët e ekipeve , por vetëm arbitrat. Më e bukura është se edhe FSHF u tregua e gatshme, ndofta është frymëzuese për të importuar bilbila nga Malta, për të cilët thuhet se janë më të mirë se tanët…ngaqë nuk ua dimë numrin e telefonit! Le të besojmë edhe arsyen “madhore” se ekipet, pas asaj që ndodhi në ndeshjen e shkuar, ku tifozët e Partizanit ndoqën deri në fushë fotografin rebel, i cili fiksoi ekipin e krekosur vlonjat pas golit, fajin më të madh për dhunën nuk e gjetën tek tifozët, as tek organizatorët e garës, por vetëm tek ata që janë mësuar me shuplaka..arbitrat!
Sa herë që shfaqen arbitra maltezë për të na dhënë një “leksion nderi” për ndeshjet që përgojohen , ringjallet pyetja e vjetër : Malta apo Jalta ? Bashkëpunim për drejtësi apo drejtësi e porositur? Po të hapësh arkivat e FSHF-së, lidhja e “gjakut” me maltezët daton më parë se presidenti Duka të çimentohej me fronin. Dikur ishin maltezët që kërkonin arbitrat tanë, madje edhe me emra, për t’i dhënë një dorë në ndeshjet miqësore të përfaqësueses së tyre. Në atë kohë, presidenti i njohur maltez, Mifsud, që ishte edhe titullar në UEFA, kur donte një arbitër nga Shqipëria, kishte një batutë: “ Sillni atë që e fillon ndeshjen tek…penalltia” .
Sfidanti.al