Miqtë për kokë kushtojnë 160 mijë euro, UEFA si armike!

Federata Shqiptare e Futbollit sapo ka marrë një lajm të hidhur dhe ka humbur jo pak para. UEFA ka bërë me dije se i ka anuluar fondin prej 160 000 eurosh që i jep çdo vit për Komisionin e Licencimeve, pasi grupi auditues që erdhi disa kohë më parë në Shqipëri, konstatoi shkelje të rënda.

Një nga këto shkelje ishte ajo për Tiranën, e cila kishte borxhe ndaj palëve të treta, borxhe të cilat nuk ishin pasqyruar në raportin që FSHF dërgoi në UEFA për klubin bardheblu. Borxhin kryesor Tirana e kishte ndaj Tatimeve, por Federata u përpoq të manovronte, në mënyrë që kryeqytetasit të merrnin pjesë në Ligën e Europës. Më herët, FSHF kishte gabuar me Partizanin dhe ishte paralajmëruar, ndërsa tani erdhi “ekzekutimi”.

Dëmi është i dyfishtë, pasi për shkak të mashtrimit, edhe Tirana nuk e mori fondin prej mbi 200 000 eurosh nga UEFA, për pjesëmarrje në Ligën e Europës, dhe kjo ishte një goditje e rëndë për financat e presidentit Halili. Në total, paratë që iu hoqën futbollit shqiptar nga trukimi i kësaj “ndeshjeje” shkojnë në gati 400 000 euro. Paska edhe raste kur UEFA u bëka armike, atëherë kur nuk duam të shesim “miqtë për kokë” brenda vendit.

Sfidanti.al