Magjia e italianit të Partizanit: fitoret i analizon si humbje!

Le ta shijojmë deri në fund italianin e fundit, këtë trajnerin e Partizanit, Kolela, i cili edhe kur fiton, qorton ekipin dhe veten e tij. Po kur humbet..? Akoma nuk e kemi përjetuar! Në një fillimkampionati, ku ekipet pretendente kanë hyrë në një garë se cili tradhëton më me shumë poza, si Tirana, Kukësi apo Laçi, “demat” e Partizanit shfaqen sikur kanë mendje tjetër. Tejet pragmatiste, një start të pabukur nga kozmetika e lojës, por të pashëm nga..pikët!

Kanë zaptuar 9 pikë në tri ndeshje , mundën edhe Bylisin cinik në fushën e tij, dhe italiani Kolela flet sikur ka “tri humbje”. Pale të guxosh ta dëgjosh pas ndeshjeve. S’qënka si brumi i bashkatdhetarëve të tij, nga ata që kanë provuar të mbijetojnë sa me gjatë në stolat tanë.

“Nuk më ka pëlqyer ndeshja. Edhe pse kemi 9 pikë, nuk ka ndryshuar asgjë. Dhe nuk është faji i skuadrës, por i imi që nuk e pikasa mirë situatën dhe ndërrimet”. Këto janë fjalët e Kolelas, që tingëllojnë dehëse për nga doza e sinqeritetit, për nga sensi i vetgjykimit. Ne të shkretët, të mësuar me futboll pikësh, edhe kur loja nuk ka pikë lezeti, tërbohemi nga qejfi me 3 pikët, gati “prishemi” duke puthur klasifikimin.

Ky Kolela do të ishte një mrekulli nëse vazhdon kështu, por kemi frikë shqiptare, se s’do ta ketë zakon jetëgjatë. Se fundja, futbolli që kemi gatuar gjithë këto vite, e kishte të ndaluar të fliste me dorë në zemër, sinqerisht, , dhe s’kishte nga ata burra që kritikonin veten dhe ekipin edhe pas 3 fitoreve!
Ndaj, s’ka ka faj këtë herë Sul Starova, sidomos tani që nuk është më në stolin e trajnerëve, por në stolin e gjatë të FSHF-së, atje ku gënjeshtra ka vlerën e artit , kur mrekulllohet me fjalët harakiri të Kolelas: “ S’kisha dëgjuar ndonjë trajner tjetër, në Europë dhe në Botë, që t’i marrë të gjitha të gjitha përgjegjësitë për vete. Po më duket simpatik..”
Tani le të presim sa do të zgjasë simpatia…

Sfidanti.al