Roftë arbitri Enea Jorgji, poshtë Partizani! Kjo është britma e antifutbollit që trukon lojën e shefave me gafat e arbitrave. Mjerë ata që besonin se Enea Jorgji kishte hequr dorë nga “vrasjet me pagesë” në fund të kampionatit, sidomos kur në lojë është titulli. Ajo që ndodhi me Partizanin , tamam në ndeshjen për fronin me Vllazninë, ishte leksioni i fundit që morën “demat” nëse mund t’i zihet besë “djallit” të futbollit tonë. Mos kini frikë nga Jorgji se do ta mbajë ndeshjen në fije të perit- kjo kishte qënë besa e presidentit Duka për shefat e Partizanit…
Ajo që ndodhi ishte një pabesi e radhës, një kulturë e kultivuar prej dy dekadash, si një dhuratë për Partizanin që kish bërë flirt me “djallin”. Një tradheti e merituar për presidentin Demi dhe drejtorin Olsi Rama që e dinë fort mirë se nga i vjen e keqja , por loja e tredhur midis shefave, e do që të shkarkosh vetëm tek ..arbitri Jorgji ! Dhe kështu, trajneri Daja nuk shkon më lart, por qahet se u privuan nga titulli për shkak të arbitrit Enea Jorgji, kurse Olsi Rama bën edukuesin, tejet i pafuqishëm për të damksour bixhozin që luan me titullin sistemi i presidentit Duka, dhe na fton të dëgjojmë këngën gjoja rebeluese : “Nëma thikën të presë dorën, Jorgjica, Jorgjica !”
Partizani u vra me urdhër nga lart dhe jo nga poshtë, si një kapriçio arbitri, ndaj kur çirren kundër arbitrit Jorgji s’ bëjnë gjë tjetër veç i shërbejnë edhe më shumë sistemit , këtij sistemi të mbushur me skenarë sa mburret më zë të lartë se në 90 minutat e fundit do të ketë tradhëti dhe pabesi të klasit të lartë ..për të gjetur kampionen!
Sfidanti.al