Kjo FSHF-ja.. na ndezi “dritat e qelisë”, dhe na fiku ato të Europës!

Sa herë që flet Prodani në ekran, “çunat” e FSHF-së, sipas zakonit të ishi-it që “spiunon” sistemin,  ndezin ndonjë qiri në kujtim të ditëve.. kur të gjithë uleshin në gjunjë para të madhit. Ish-sekretari, mu  në këto momente sikleti kur pjella e Asamblesë s’paska “prindër”,  vë dorën mbi plagën e mavijosur të dosjeve. Që Federata është në një moment të vështirë, këtë e dinë të gjithë, por më shumë se kushdo ky “Prodi tradhetari”. Fjalët e tij janë si një driblim mes këmbëve për ata që nuk  dinë se ku kanë kokën dhe ..të kujt e kanë.

“ Nuk besoj se juristët kanë neglizhuar dokumentet që duheshin çuar në Gjykatë për të regjistruar zgjedhjet në Asamble, por mendoj se nuk ka pasur çfarë dokumentesh të dërgojë. Edhe vendime të tjera, të marra nga kjo Asamble, mund të kompromentohen. Nëse zgjedhjet nuk do legjitimohen, do kërkohen të bëhen zgjedhje të reja. Por, këtu do ishte një kolaps. Zgjedhjet e reja do i miratonte Komiteti Ekzekutiv, por ky komitet është i paligjshëm, i zgjedhur nga zgjedhje të palegjitimuara”.

Një Zot e di se si do të dalin nga tuneli zyrtarët tanë , madje mund të jetë gropë dhe na duket si tunel. Veçse është në lartësinë tonë, tipike për nga mashtrimi, që një Asamble që tundi gjithë vendin në emër të fronit,  qënka shtrirë mbi  “letra bakalli”.  Si dreqin do të mbrohemi në gjyqin e KAS-it kur juristët tanë kanë bërë autogol me topin prej letrave false. Po  cilët do të jenë ata trima tani që do të shpenzojnë malin miliona euro për zyrat e FSHF-së, të asaj që na ndezi dritat e qelisë dhe na fiku dritat e Europës…

Sfidanti.al