“U lodha duke pasur të drejtë” thotë Xhim Keri diku në njërin prej filmave të tij të famshëm. Vendimi i fundit i FSHF për heqjen elimitit të numrit të lojtarëve të huaj është dëshmi e një dështimi tëparalajmëruar, është konfirmimi i radhës që futbolli shqiptar është në pikën e tij më të ulët që prej vitit të tij të nëmur 2002. “Shqyerja”e portave për lojtarët e huaj është në fakt rrjedhimi logjik i tërë trajektores së ndjekur nga udhëheqja e fandaksur e institucionit drejtues të futbollit. .
Kjo ditë do të vinte patjetër. E bëmë të qartë kur pamë që në vend të fushave të futbollit, FSHF ndërtoi dhjetëra milionë euro fasada dhe zyra. Kur pamë që në vend të mbështetjes së akademive që ushqejnë futbollin, ndërmorën “aparteidin” dhe gjuetinë e shtrigave ndaj tyre. Kur në vend të shtimit të numrit të futbollistëve, sot në shifra mjerane, shtoi në fakt masivisht numrin e burokratëve mediokër dhe yes-men-ëve në administratën lubi të FSHF.
Ishim mirë kur ishim keq. Sot, në shumë parametra, rezulton që futbolli shqiptar sot është më poshtë edhe se në vitet ’90. Sepse, edhe në kushtet e braktisjes totale nga shteti, futbolli tregoi vitalitet, gjeti mënyrat për të ekzistuar dhe bile për t’u zhvilluar. Ishin me qindra të apasionuarit që me sakrifica ekstreme hapën dhe mbajtën në funksionim akademi futbolli në të gjithë Shqipërinë. Në vitin 2000, vetëm në ligën e atëhershme amatore të Shqipërisë, numri i futbollistëve i kalonte 20,000. Akademitë shqiptare filluan të përfaqësohen me dinjitet në turne dhe evente për të rinjtë në tërë Europën, dhe një plejadë e re talentesh të futbollit filloi të mbushëekipet e të rriturve.
Por ja që edhe futbollit, ajme, i erdhi dita e zezë. Pasioni u zëvendësua me makutërinë për para. Dashuria për futbollin në dashuri për postin e presidentit. Programet e zhvillimit me programe elektorale. Respekti për traditën në “respekt” për “të fortët”. Dhe problemi më i madh është që frytet akoma më të hidhura të këtyre bëmave do t’i korrim në dekadat që vijnë.
Sot FSHF thotë që ka të regjistruar 20,000 futbollistë. Kjo me siguri është një gënjeshtër e madhe. Po edhe sikur të jetë e vërtetë, është mpër të vënë duart në kokë që kemi më pak futbollistë se 25 vjet, ose një çerek shekulli, më parë. Numri i futbollistëve për banor na rendit të fundit në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën. Ndërsa për Europën, me të cilën duam të matemi, jemi në nivel mesjetar.
Hapja e dyerve për futbollistët e huaj është në fakt thikë pas shpine për akademitë ushqyese të futbollit dhe humbje e shpresës për shumë të rinj që shpresonin dikur të bëheshin futbollistë. Ky akt e bën të përhershme varësinë e ekipit kombëtar nga prurjet e emigracionit. Kështu ne humbasim përgjithmonë shpresën të zhvillojmë “brandin” efutbollit tonë kombëtar.
Por është e kotë të argumentojmë më shumë. Ata që kuptojnë dhe e duan futbollin nuk kanë nevojë t’i bindim. Ata që s’e kanë haberin nuk kanë nevojë të binden. Edhe ata që janë në listën e “asistencës” në FSHF apo që kanë zanatin e “sahanlepirjes” nuk kanë nevojë të binden. Ç’të themi më? Ka mbetur vetëm të themi: Lerini të qetë në zullumin e tyreqë ishalla këputet duke u trashur.
Eduard Prodani