Ju kujtohet ajo anektoda argëtuese me goditjen e denimit të Kristiano Ronaldos në Qemal Stafa, kur arbitri u habit kur pa se barrikada e ekipit të Gramozit i ktheu kurrizin kampionit të madh, ndërkohë futbollistët u kapën në një skenë unikale.. shikonin nga porta e tyre dhe jo nga ekzekutuesi! Në ato momente, arbitri ka pyetur i zhgënjyer futbollistët që krijuan murin “ kinez”:
-Pse i ktheni kurrizin? Për respekt shikojeni në fytyrë të madhin Ronaldo sepse është një nga perënditë e topit në Botë…
– Ne duam të shohim golin që do të bëjë Ronaldo dhe jo vetë..Ronaldon – ishte përgjigja e një futbollisti, që mrekulloi arbitrin më shumë se çdo gjë që kishte dëgjuar me veshët e tij në fushë.
Kjo anektodë, pas atyre që kanë ndodhur në harkun e pak javëve, mund të tregohet edhe për sulmuesin e talentuar të Kukësit, Sidrit Guri. Kur i shënoi Partizanit një gol me vlera speciale nga goditja e dënimit, kishte nga ata që u dehën me elegancën e goditjes, veç kishte edhe mosbesues që thanë se ishte një magji që nuk ndodh shpesh. Guri, i ndihmuar edhe nga heshtja e tij prej kampioni, nuk tregoi publikisht se goditjet e dënimit janë bërë pjesë e shfaqjes së tij. Mund të thoshte se golat nga encet nuk vijnë nga qielli , por janë një kordinim perfekt i mendjes së tij me këmbët, por nuk e bëri, sepse është tip që flet me vepra dhe jo me gojë. Siç ndodhi prapë me Skënderbeun, me kampionët e pashpallur, që kur krijuan barrikadën klasike, mund ta kishin shijuar golin e rrallë nëse do të ishin “kthyer” me kurriz nga sulmuesi dhe me fytyrë nga porta e Shehit. Golat nga encet kanë gjithnjë një shije të rrallë, nuk janë ushqim i zakonshëm në Superligë, pale kur shijon njëheresh elegancën e goditjes se topit dhe preçizionin e shndërruar në art . Topi i goditur nga “Guri i shenjtë” harkoi me një parabël të ëmbël për të prishur rrjetën e marimangës pranë trekëndshit, për të cilën thuhej se do të rronte kaq gjatë , aq sa do të ishte mosha e Shehit në portë..
Golat që kanë shije kampione, ndezin imagjinatën dhe askush nuk e ndan dot deri ku shkon e vërteta e atyre që dëgjohen. Flitet sikur fill pas ndeshjes, presidenti Gjici nuk e ka mbajtur në kasafortën e klubit golin perlë që prishi “dasmën” korçare, por ka urdhëruar ta paketojnë, për t’ia dërguar dikujt matanë Adriatikut. “ Çojani trajnerit Panuçi, sepse me dhimbset që lodhet aq shumë për të zbuluar talente ..sa më larg Shqipërisë”
G.Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport