I keni parë sa të gjatë janë “çarçafët e zi ” të dënimeve të Komisionit të Disiplinës? Apo kur gjobiten më shumë futbollistë të rinj se të vjetër, si për t’u thënë : gjeni një sport tjetër! Tamam si ata policët që qëndrojnë në mes të rrugës, te gatshëm me bllok në dorë për të lëshuar gjobën, edhe “policët e topit”, pra Komisioni i Disiplinës, sapo mbaron java marrin “hanxharin” në dorë dhe bëjnë kërdinë…
Këto dënimet e fundit, më “pikantet” , kanë përfshirë edhe dy stadiume të mbyllur: stadiumi i Egantias dhe stadiumi i Kukësit! Ç‘e ka gjetur futbollin tonë… Është bërë tamam si puna e gomarit që nuk di çfarë uji t’i japësh..të ftohtë apo të ngrohtë. S’ka më ters se sajohet loja me stadiumet : politika mburret se po “mbjell” kudo stadiume, FSHF dhe “policët e saj” i mbyllin për futbollin dhe i hapin për Koncerte ose për “ndeshjet e partive”..
Po ç‘është ky Komision i Disiplinës, që u mbaka gjallë duke e vdekur futbollin deri në frymën e fundit ! Madje ka një kuriozitet fatal në këtë mes: sa më pak njerëz në stadiume, aq më shumë dënime në “çarçafin e zi” të gjobistëve. Siç duket edhe “policët e futbollit” rrufisin përqindje përfitimi për çdo gjobë që kopsisin …
Sfidanti.al