Të gjitha rrugët të çojnë në ..Amerikë! Sa herë që gabojnë politikanët tanë, madje po të flitet me gjuhën e shkollës, kur ngelin në klasë, rolin e mësuesit që u shkul veshin e bën Ambasada Amerikane. Sa herë që gabojnë arbitrat e Superligës, aq sa mund të thuhet pa frikë, e bëjnë të zezë baltën tek pika e bardhë, shqetësimi më i madh vjen nga Amerika. Edhe më shumë sesa nga vetë Shqipëria. “Mësuesi” në këtë rast është shqiptar, tepër i zoti në zanatin e bilbilit , por që ka fatin e keq se nxënësit e klasës së tij, pra arbitrat e sotëm, sa më shumë t’i qortosh, aq më me ngut po e shndërrojnë pikën e bardhë të penalltisë, në pikën e pengmarrjes së lojës !
Fjala është për Arsen Hoxhën, ish-arbitrin që kujtohet për klasin profesional , ish –shefin e tyre, i cili ka zotësinë të ndajë shapin nga sheqeri, aty ku trazohen kartat e lojës mes gabimeve njerëzore, me ato që media i pagëzon ..gabime djallëzore. Dhe Arseni, nëse do të pranonin gjuhën e zyrtarëve të FSHF-së, u shfaqet si “Lupen”, si ai që futet pa leje në bahçen e maviolave tona, duke i vjedhur sheshit patentën e së vërtetës..
Edhe në rastin e Partizanit, kur “demave” iu ngulën dy shtiza nga arbitri, duke i mohuar dy penallti flagrante ndaj Kukësit, “maviola” nga Amerika e kapërceu orbitën e gjykimit të ndeshjes, duke zbuluar se gabimet e arbitrave janë përqëndruar në një gjatësi vale prej..11 metra. E ka hak ta quajnë tradhëtar Hoxhën, kur s’ka “prift” në FSHF që të mos tapojë veshët para kësaj deklarate: “Ndoshta ky mund të jetë sezoni kur arbitrat e futbollit, kryesisht ata të Kategorisë Superiore, janë treguar tepër kontradiktorë në mënyrën e vlerësimit të shkeljeve të ndryshme. Në përgjithësi japin vlerësime të drejta jashtë zonës së penalltisë, por thellësisht të gabuara brenda saj?!”
Dhe nëse për këtë temë do të guxonin të flisnin hapur kampionët në fuqi, Partizani, më pas dhe Tirana si kampione e ardhshme, do të kuptonim se zaret e fatit janë të stisur. Një vit më parë qante Tirana për arbitrat, kurse Partizani as dëgjonte fare, madje mbyllte veshët, dhe vazhdonte dasmën. Këtë sezon , ka ndodhur mrekullia për Tiranën , i japin penallti edhe nga ato që nuk i do, ndërsa Partizanit ia vjedhin sy për sy, bile dy e nga dy dhe i thonë: “ Mos u bëj mosmirënjohës!”
G.Sinemati