Finalet e këtij sezoni në Kategorinë Superiore nuk kanë tërhequr interes mes tifozëve e ndoshta ata që i japin pak më shumë ngjyra këtij funsezoni të zbehtë janë shkodranët që me humor madje thumbojnë edhe rivalët. Aktori Besnik Çinari i cilësoi si krushq tifozët e Dinamos referuar numrit të pakët të tyre në stadium, por edhe ata të Vllaznisë nuk është se po bëjnë namin. Ndoshta janë më të zhurmshmit dhe të më shumtët në numër por gjendja mbetet e mjerueshme. Të luash 36 javë për një apo dy ndeshje dhe në ato finale të kumbojë heshtja e një stadiumi, është e trishtueshme. Në të dyja finalet sëbashku, numri i tifozëve nuk i kalonte 10 mijë dhe ky është një atentat i madh që i bëhet futbollit në vend. Askush nuk do t’ia dijë më nëse kjo formulë është një dështim e madje ka nga ata që futbollin e konsiderojnë një hall më shumë. Realitet i trishtë por i vërtetë në një vend ku hallet janë me qindra dhe loja më e dashur e shqiptarëve ndoshta mund të kishte shërbyer si argëtim e jo si një hall shtesë.
Nga Pirro Bardhyli