Futbolli me drita të fikura! Pse “Rama ik” dhe …”Duka, mos ik”

Shyqyr zotit që errësira pllakosi në një ndeshje Superlige, imagjinoni sikur të kishte ndodhur në një ndeshje të Kombëtares! Si për shembull, tek ajo ndeshja me Turqinë, ku futbollistët tanë hoqën “siguresën” e lojës ,dhe  në fund të ndeshjes, dritat  iu fikën vetëm trajnerit Panuçi. Çfarë ju kujton kjo pamje e tifozëve në errësirë , përgjatë ndeshjes Vllaznia-Teuta,  ku me dritën e celularit mundohen t’i japin pak dritë..lojës sonë që iu fik edhe qiriri i fundit! Kohë më parë, edhe Derbi  Tirana –Partizani, ndeshja për të cilën thuhet se hedh dritë mbi gjithë ndeshjet e tjera, u verbua mu në mes të kryeqytetit , duke vërtetuar se futbolli që luajmë natën është një aventurë që përseritet.

Loja me dritat , në stadiumet tona të futbollit, ka arritur kulmin kur luanin në “Qemal Stafa”, ku galaktikët e Realit,  plot me yje që shkëlqenin, me në krye Ronaldon, u ndeshën  kundër një ekipi që lindi “brenda natës”..Gramozit të Ersekës.  Ronaldo me shokë, armata që kanë vendosur shumë rekorde në mbarë botën, atë natë kanë vendosur një rekord unikal , i cili mund të mbetet i përjetshëm, për ne dhe për ata. Kanë pritur gati 1 orë, derisa errësira e stadiumit t’i linte vendin dritave,  duke iu bindur urdhërit të prerë të presidentit Perez: “ Nuk ndërpritet kjo ndeshje, si kampionë që jeni..bëni durim!”

Po ne, pse nuk bëjmë  durim kur fiken dritat e futbollit? Apo me “drita të fikura” jemi kudo dhe nuk durojmë dot edhe  90 minutat e lojës..Në Shkodër, sapo ka rënë errësira, tifozët kanë thirrur në kor : “ Rama ik”!  Imagjinoni sa shpejt do t’i sillnin  dritat, sikur tifozët ta kishin adresuar  rebelimin tek “pronari i stadiumit”: “ Duka ik”!

Sfidanti.al