“Futbolli, lojë që e luajnë 22 vetë, dhe gjermanët nuk e fitojnë më!

Geri Lineker nuk vonoi ta modifikonte batutën e tij. Autori i shprehjes së famshme se “futbolli është një lojë kur 22 burra bredhin pas topit dhe në fund fitojnë gjermanët”, tashmë përfundon me gjysmë fjalinë “dhe gjermanët nuk fitojnë më”. Ish-sulmuesi i madh anglez i “ngjiti” edhe një shtojcë: Rekordi i mëparshëm i përket historisë!

Fiks, pasi për herë të parë gjermanët u eleminuan në grup, dhe nuk vonuan kritikat dhe talljet. Gazeta “Bild” shkruajti se Lëv mund të japë dorëheqje dhe se tani fillojnë të lahen hesapet. “Di Velt” e quajti eleminimin nga Koreja e Jugut si “turpi më i madh në historinë e kombëtares”, ndërsa “Kiker” theksoi se “kjo fiasko bën që të lëkunden të gjithë, edhe Lëvi”.

Ish-kapiteni i madh gjerman, kampion bote, Lotar Mateus, postoi në Tuiter: “Një pasdite shumë e keqe”. Vetë Lëv pranoi se “eleminimi ishte i merituar”, dhe përgëzoi Suedinë e Meksikën, por nuk pranoi ta kritikonte skuadrën. E ardhmja e tij? “Është shumë shpejt për të folur”, – u përgjigj bundestrajneri. Gjithsesi, presidenti i Federatës Gjermane, Rajnhard Grindel, deklaroi prerë se “trajneri Joakim Lëv nuk preket, pavarësisht eleminimit”.

Ai ka kontratë deri në 2020, por mediat u tallën me këmbënguljen për të mbajtur në fushë veteranët e botërorit të kaluar. “Lëv vdiq bashkë me Nojerin, Ozilin, Mylerin dhe Gomezin”, ishin komentet.

Sfidanti.al