Futbolli i FSHF-së nga një univers paralel

Në një kohë që opinioni publik dhe vetë futbolli po kërkon të përtypë formulën e papërtypshme të këtij sezoni në Superiore ku me një logjikë të thjeshtë, një ndeshje hedh poshtë gjithë djersën e derdhur në 36 sfida, FSHF kujdeset të na servirë një tjetër organizim europian. Sipas këtij institucioni, këtë të martë u zhvillua një nga mbledhjet më të rëndësishme të UEFA-s, “Grassroots Football Panel” ku drejtues të zhvillimit të futbollit dhe ekspertë të disa prej federatave anëtare të UEFA-s diskutuan disa tema kryesore dhe shkëmbyen idetë dhe qasjet e tyre mbi fusha të ndryshme kritike si: Konferenca e ardhshme “Grassroots”; Zbatimi i Kartës së Grassroots; Procesi i Vetëvlerësimit; UEFA Share Seminars.

Bujtësi i miqve nga Europa ishte presidenti i FSHF, Armand Duka, ndoshta në këtë mbledhje me cilësinë e zv-presodentit të UEFA-s. Siç ndodh rëndom në organizime të tilla, Duka foli shumë por nuk tha asgjë duke dhënë një leksion tjetër mbi atë se si duhet të jetë futbolli edhe pse në shtëpinë e tij, gjella duket e prishur. Kampionati aktual është një dështim i vërtetë në shkallë dhe në fushën e lojës, ndërsa presidenti i përjetshëm vendos si prioritete:

  • Të dyfishojmë numrin e futbollistëve dhe trajnerëve
  • Të rrisim me 10% numrin e nxënësve të shkollave që regjistrohen në kampionatet e organizuara nga FSHF, duke rritur bashkëpunimin dhe punën tonë me shkollat.
  • Brenda vitit 2025 ne synojmë  gjithashtu edhe krijimin e shkollës së futbollit të  FSHF

Objektiva dhe premtime që në letër të ngjasojnë me projektet e federatave perëndimore ku kanë gati mijëra fusha ku të rinjtë të luajnë, akademitë prodhojnë brumin e futbollit vendas dhe ligat e tyre janë në gjendje të shëndoshë. A po jetojnë drejtuesit tanë në një univers paralel? Sigurisht që kjo është një pikëpyetje e madhe pasi kontakti me realitetin duket shumë i largët në horizontin e tyre.

 

Nga Pirro Bardhyli