Dy shtylla dhe një penallti “minus”, Partizani I derbit më i fortë se fati!

Mallkimi nuk ka të sosur, apo ndoshta ky është thjesht realiteti. Tirana pësoi një tjetër humbje në derbi, dhe Partizani arriti sërish sukses, seri që vazhdon e pandërprerë që nga viti 2014. Të kuqtë e kryeqytetit e merituan tripikëshin përballë rivalëve të tyre bardheblu, për atë që u dha në fushën e lojës, dhe e kanë të sigurt se do ta mbyllin në krye të Superligës edhe javën e 15-të.

Dy gola të Rubin Hebajt ishin përgjigja e trajnerit Skënder Gega për avantazhin e hershëm të Tiranës, realizuar me anë të djalit të presidentit, Grent Halili.

Partizani goditi edhe dy herë traun e portës së Abibit, me anë të Asanit dhe Malës, pretendoi penallti që u duk se ishte, dhe shënoi në fund të pjesës së parë, por gjyqtari tha se kjo ndodhi pasi ai kishte vërshëllyer fundin. Fati i keq doli më pak i fortë se skuadra që kërkon titullin e parë kampion që nga viti 1993.

Kjo ishte fitorja e dytë të Partizanit me Tiranën, në dy ndeshjet e luajtura në këtë kampionat, dhe humbja e parë në derbi e Ardian Memës, tashmë si trajner i bardhebluve. Vetë Ardi pohoi se “nuk duhet të fshihemi pas gishtit, pasi kemi probleme”, ndërsa Gega provoi shijen e një tjetër fitoreje.

Trajneri i kuq pohoi se vendimi për shiritin e Alban Hoxhës ishte i tiji, ndërsa ai për aktivizimin e portierit ishte pas garancisë së mjekëve. Gega u shpreh i lumtur për golat e Hebajt, por nuk ngurroi të vlerësonte lart lojën e sulmuesit titullar, Mensah. Gjithsesi, me rëndësi tek Partizani është se drejtori sportiv, Olsi Rama, është tërësisht në krah të trajnerit, dhe kjo duket se po bën diferencën. Pas 15 javësh, skuadra ka 34 pikë, ndaj 30 të Skënderbeut që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e tij.

Sfidanti.