Dikush hedh një gur në lumë dhe 100 budallenj zhyten për ta kapur, ndërsa kur gurin e hedh “mbreti” në lumë duket sikur ka më shumë njerëz sesa ujë. Sapo presidenti i FSHF-së ka zbuluar publikisht se po bëhet punë armiqësore tek arbitrat, si me butonin e telekomanduar, kemi hapur dosjet për arbitrat dhe po zbulohen sheshit, vrasjet me bilbil, madje dhe ato me flamur. Flitet për klane tek arbitrat, flitet për trafikim të pandershëm të tyre nga “tutorët kujdestarë”, që vetëm disa kohë më parë u rekomanduan si një gjetje perfekte, si forcim i familjes më të përçarë. Si ka mundësi ky komplot i veshur me të zeza, kur të gjithë besonin se edhe më trimi me bilbil, s’do t’i binte dot muzikës ndryshe nga ajo e qejfit të të zotit dasmës. Ndaj, shumë vetë kanë humbur toruan në këto javë të sikletshme të garës së kampionatit, duke bërë pyetjen fatale: a meriton presidenti Duka të tradhëtohet nga pjella e tij, arbitrat dhe shefat e tyre? Të zbavit arsyetimi se ky komplot ndaj të madhit ka patur kulmin pikërisht në kohën kur presidenti hallemadh marshonte në Europë me ndihmësit e tij më besnikë, të cilët ngjyrosnin me të kuqe vëndet e pushtuara me votë, kurse pas shpine, në tokën mëmë, arbitrat dhe kujdestarët e tyre po nxirrnin nga shinat një kampionat të pamësuar me shumë duar. Një kampionat që edhe kur guxon të tradhëtojë të zotin, duket sikur humbet ..bukurinë. Gjithë këto vite jemi mëuar aq shumë me sajesa me top, sa mund të gjëndemi të papërgatur për të shijuar një betejë sportive pa prapaskena, pa hilera që rafinohen mrekullisht larg fushes..
Kur , në mes të ditës, trajneri i Partizanit, Starova thërret se “arbitrat të mos e vendosin titullin e kampionatit”, në Federatë kanë patur plot arsye për të hapur shampanjën, atë që s’hapën dot për ngjitjen e lavdisë në UEFA, pasi ka triumfuar ideja se rruga drejt titullit nuk kalon më nga zyra e shefit fuqiplotë, por është spostuar tek arbitrat. Një alibi e bukur për të vazhduar të gjobisim një garë që është lodhur më shumë nga xhepat sesa nga këmbët. Nëse këtë kampionat , për të cilin thuhet se duhet të kesh një zemër të fortë për t’i bërë ballë dramave deri në çastin e fundit, e ka pushtuar shpirti “ i djallit me bilbil”, atëherë le të kujtojmë se ky transferim pushteti është bërë me finesë dhe me qitje të largët. Disa muaj më parë, ndërsa zyrtarët e Federates kërcënoheshin me rrogë të ndalur, ngaqë nuk kishin mbledhur gjobat nëpër klube, tani, në momentet më jetike të kampionatit, ku titulli dhe rënia nga Superiorja kanë ndezur bursën, shefat kanë vënë ngjitur tabelën që të futet deri tek xhepat: “ Ruhuni nga arbitrat..”
Gëzim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport