Ju kujtohet filmi “Shfrenimi”, ku për 24 orë nuk kishte as shtet as ligje dhe njerëzit ia mbathin nga frika pasi vdekja i ndiqte nga pas, ndërsa jeta dukej sikur po i braktiste! Sepse na kujtohet ky film sa herë që në Tiranë vijnë çunat e UEFA-s, ata që aktrojnë “Shfrenimin” në 24 orët shqiptare, ku ligjet e topit s’vlejnë më, kurse shteti i futbollit shkërmoqet deri në qelizë . Këtë herë është vetë futbolli që duhet t’ ia mbath nga frika për jetën! Aktori i fundit i këtij filmi serial, por jo i fundit fare, u shfaq një anglez me emrin Klark,si një UFO i UEFA-s , i cili për nga zotësia në interpretimin e rolit, as nuk ta çonte mendjen se ishte i pari i anglezëve në Federatën e Futbollit.
Ç’ishin ato fjalë që tha zoti Klark ? I solli nga Anglia vetë apo ia dhanë kur zbriti në Rinas? Sido që të jetë e vërteta, betonistët e FSHF-së, ata që bëjnë “magji” me milionat, thonë se në muralen që do të vihet para zyrave të reja të FSHF-së do të zenë vend edhe fjalët që dolën nga “zemra e votës”: “ Kam ardhur të mësoj nga presidenti juaj. Jo, jo unë nuk kam çfarë t’iu mësoj juve..” Duket si lajthitje angleze, por cili president futbolli nuk do të donte të mësonte “gralin” e përjetësisë në fron, ku sa më keq të shkojnë punët brenda , më lart kërkon të ngjitesh ..jashtë kufirit!
Zoti Klark iku shpejt , aq shpejt sa atyre që numërojnë votat europiane të shefit në FSHF u duket si ëndërr ajo që ndodhi. Madje sipas zakonit tonë me të huajt, kur flitet për votat, nxitet dhe tundimi për çmimin e tyre. Dhe sipas bursës në tregun e zi, fjalët e anglezit qënkan blerë goxha shtrenjtë nga tanët. Aq shtrenjtë sa njeriu vjen nga atdheu i futbollit, nga shkolla më e moçme, dhe nuk ka frikë e as nuk ndjen zbythje të shpallet nxënës në një “shkollë” të dënuar për vese. Nga ai vetë dhe shokët e tij të UEFA-s. Nga ata që thonë me humor se sa më shumë të largohen klubet shqiptare nga Europa, aq më thellë ngjitet lart “ mësuesi guru” i shqiptarëve. Bile, pa e mbajtur sekret, dikush në UEFA paska lëshuar shakanë me helm se shqiptari Duka ka hall vetëm sa të fusë këmbët…
Gezim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport