Zidan si i bëhet tani? Realin e mbajnë Kurtua dhe Vinisiusi!

Natyrisht, në fushë pati edhe shumë yje të tjerë, mbi të gjithë Sergio Ramos, por edhe Benzema, Modriç apo Valverde, por gjithsesi ishte njeriu i portës vendase, dhe ai përpara portës kundërshtare që përcaktuan rezultatin. Reali fitoi 1-0 ndaj Vajadolidit në “Miniestadi Alfredo Di Stefano”, dhe ndonëse rezultatet janë të mira në La Liga, loja nuk po bind plotësisht. Nuk po bind as fakti që trajneri Zinedin Zidan e mban në stol sulmuesin Vinisius Zhunior, ndërsa ai mezi pret të luajë e të shënojë. Këtë herë u aktivizua në 58’, në vend të sulmuesit serb Luka Joviç, dhe iu deshën vetëm 7 minuta për t’i dhuruar fitoren madrilenëve.

Në krahun tjetër ishte portieri Kurtua që bëri disa pritje shpëtuese, dhe nuk lejoi që Vajadolidi të barazonte. Do të kishte qenë një “dush i ftohtë” për Zidanin dhe djemtë e tij, që ndoshta meritonin fitoren. Pavarësisht problemeve në mbrojtje dhe humbjes së rasteve, Reali i pati mundësitë. Joviç goditi 2-3 herë, Kasemiro po ashtu, Benzema mund të shënonte, ashtu si Valverde, dhe Modriç goditi shtyllën. Reali nuk po luan keq këto kohë, por e ka shumë të vështirë të shënojë, ndërsa në mbrojtje edhe gabon. Nuk dihet nëse ky nivel mund të mjaftojë ndaj një Barcelone që duket se e ka marrë plotësisht veten me Mesin dhe Kumanin.

Sfidanti.al